43 vende kërkojnë hetim ndërkombëtar për vdekjen e Alexei Navalny
Gjithsej 43 vende, duke përfshirë SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, lëshuan sot një thirrje të përbashkët për një hetim ndërkombëtar për vdekjen e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny ndërsa ishte në paraburgim në Rusi.
“Ne jemi të indinjuar nga vdekja e politikanit opozitar Alexei Navalny, për të cilën presidenti (i Rusisë) Vladimir Putin dhe autoritetet ruse mbajnë përgjegjësinë përfundimtare”, tha ambasadorja e BE-së Lotte Knudsen në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, në deklaratat e saj në emër të 43 vendeve.
Një kritik i vendosur i Vladimir Putinit, Alexei Navalny vdiq më 16 shkurt në rrethana misterioze në një koloni penale të Arktikut, ku po vuante një dënim 19-vjeçar për “ekstremizëm” dhe u varros të premten në Moskë. Vdekja e tij shkaktoi dënimin e vendeve perëndimore.
“Rusia duhet të autorizojë një hetim ndërkombëtar të pavarur dhe transparent për rrethanat e kësaj vdekjeje të papritur”, vlerësojnë 43 vendet, duke theksuar, në një deklaratë për shtyp, se kjo vdekje është “një tjetër tregues i represionit gjithnjë në rritje dhe sistematik në Rusi”.
Këto vende në përgjithësi i bëjnë thirrje Rusisë që të lirojë të burgosurit politikë, gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe kritikët e luftës në Ukrainë.
“I bëjmë thirrje Federatës Ruse që t’i japë fund kësaj klime mosndëshkimi dhe të krijojë një mjedis pa rrezik për opozitën politike dhe zërat kritikë”, nënvizojnë ata.