Një gjykatë në Shtetet e Bashuara të Amerikës caktoi 25 marsin e vitit 2024 si datë për gjykimin ndaj ish-presidentit Donald Trump. Kjo periudhë përkon me kulmin e fushatës zgjedhore për kandidatin presidencial brenda Partisë Republikane. Gjykatësi i Manhatanit të Nju Jorkut, Juan Merchan njoftoi për këtë datë gjatë një seance ku Trump mori pjesë përmes një video-lidhjeje.
Muajin e kaluar, ish presidenti amerikan u deklarua se ishte i pafajshëm për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, në lidhje me pagesat që kompania e tij i kishte dhënë ish-avokatit të tij, Michael Cohen. Trumpit iu dha leje që mos të paraqitej personalisht në gjykatë, me qëllim të shmangies së sfidave të mëdha të sigurisë dhe logjistikës që pasuan pas shpalljes së akuzës kundër tij muajin e kaluar.
Prokurorët thonë se këto pagesa kishin për qëllim rimbursimin dhe kompensimin e avokatit Cohen për kryerjen e pagesave në këmbim të heshtjes gjatë fushatës së vitit 2016 lidhur me akuza për marrëdhënie jashtëmartesore. Trump mohon të ketë pasur lidhje jashtëmartesore dhe thotë se ndjekja penale është e motivuar politikisht.
Merchan kaloi pjesën më të madhe të seancës 15-minutëshe të së martës duke shqyrtuar një urdhër që ai lëshoi më 8 maj, i cili përcakton rregullat bazë për sjelljen e Trump në fillim të gjyqit. Nuk duhet të interpretohet si urdhër për t’i mbyllur gojën dhe Trump është i lirë të flasë për rastin dhe të mbrohet, tha Merchan, por ai nuk mund të përdorë provat e dhëna nga prokurorët për të sulmuar e intimiduar dëshmitarët ose për të postuar dokumente të ndjeshme në rrjete sociale. Nëse ai shkel urdhrin, rrezikon të mbahet në përbuzje.