13-vjeçari ikën nga lufta në Ukrainë, vdes pasi bie nga tarraca e gjyshërve
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Grosseto, Itali, ku një djalë 13-vjeçar me origjinë ukrainase humbi jetën pasi ra nga ballkoni i katit të tretë të banesës ku jetonte me gjyshërit e tij.
Ngjarja ndodhi vonë mbrëmjen e djeshme, ndërsa fëmija, i cili kishte mbërritur në Itali vetëm tre ditë më parë, ra nga një tarracë në ndërtesën ku po qëndronte. Djali u transportua fillimisht në spitalin Misericordia në Grosseto, dhe më pas u dërgua në spitalin pediatrik Meyer në Firence, ku fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në kokë dhe trup.
Sipas hetimeve paraprake, rënia u cilësua si aksidentale. Sipas raportimeve të policisë, 13-vjeçari ndodhej në dhomë me një kushëri të tij pak më të madh, gjithashtu me origjinë ukrainase, i cili ngriti alarmin sapo kuptoi që ai kishte rënë nga ballkoni. Sipas dëshmisë së tij, nuk kishte vënë re kur djali ishte larguar nga dhoma.
Policia dhe ambulanca mbërritën menjëherë në vendngjarje, por dëmtimet e marra ishin fatale, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta shpëtuar. Fëmija ishte evakuuar nga Ukraina për shkak të luftës, ndërsa prindërit dhe pjesa tjetër e familjes kanë mbetur në vendin e shkatërruar nga konflikti. Gjyshërit, të cilët kujdeseshin për të në Grosseto, janë në gjendje të rënduar emocionale.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të konfirmuar versionin e ngjarjes dhe për të hedhur dritë mbi çdo rrethanë të mundshme që mund të ketë çuar në tragjedinë e tmerrshme. Trupi i pajetë i të miturit është dërguar për autopsi, ndërsa komuniteti ukrainas dhe vendas në Grosseto janë solidarizuar me familjen në këtë humbje të rëndë.