Konsiderohej një ëndërr, por mund të mos jetë vetem e tillë.
Lionel Messi pritet të rikthehet të vesh ngjyrat e Barcelonës. Diçka e tillë është konfirmuar nga zëvendëspresidenti i katalanasve, Rafa Yuste, që pranon se drejtuesit spanjoll janë në kontakt të vazhdueshëm me futbollistin argjentinas.
Krahu i djathtë i Joan Laporta beson se historitë e bukura në jetë duhet të përfundojnë mire dhe një gjë e tillë të ndodh edhe me Messin.
“Kur je i dashuruar dhe ndahesh nga dikush, gjithmonë ke dashuri edhe nëse humb kontaktin. Ne do të jemi gjithmonë të dashuruar me Leon dhe ai do të jetë i dashuruar me skuadrën dhe qytetin e Barcelonës. Unë jam njëri nga ata që mendoj se fati duhet të përfundojë në kah pozitiv”pranoi Yuste para futbollistëve dhe zyrtarëve të Akademisë së Barcelonës.
Rikthimin e 35-vjeçarit në Spanjë do e mirëpriste edhe ish-shoku i tij i skuadrës, tashmë trajner i Barcelonës, Çavi Hernandes. Tekniku e vlerëson mundësinë për të firmosur me kampionin e Botës, pavarësisht se për momentin nuk kërkon të flas për shkak se Messi ka një marrëveshje me PSG-në deri në fund të sezonit.
Largimi dy vite më parë nga Barcelona nuk ishte ajo që kishin ëndërruar tifozët katalanas, me Messin që u largua mes lotësh me parametra zero nga skuadra ku shkruajti historinë. Në 17 vite me ngjyrat katalanase, Messi shënoi 474 gola në 520 ndeshje.
Regjistrohu në buletinin tonë informativ