Zyrtari i lartë i DASH takohet me Kryeministrin Rama: Integrimi europian, një prioritet për Shqipërinë

Zëvendës Sekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma, së bashku me të Ngarkuarën me Punë, Nancy VanHorn, zhvilluan sot një takim në Tiranë me Kryeministrin Edi Rama.

Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane në Shqipëri, diskutimet u përqendruan në mbështetjen e Shqipërisë për refugjatët afganë dhe ukrainas, si dhe rëndësinë e integrimit në Bashkimin Europian për të ardhmen e vendit.

Zëvendës Sekretari Verma përshëndeti përparimin e Shqipërisë dhe përgëzoi vendin për përzgjedhjen në një marrëveshje kompakte me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Kjo marrëveshje ofron një mundësi të rëndësishme për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të mbështetur reformat ndërsa Shqipëria vazhdon rrugëtimin drejt anëtarësimit të plotë në BE.

“Integrimi në Bashkimin Europian është jetik për të ardhmen e Shqipërisë,” theksoi Verma gjatë takimit, duke konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në këtë proces.