Zëvendës Sekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma, ka mbërritur në Shqipëri. Ai është pritur në aeroportin e Rinasit nga zyrtarë të ambasadës amerikane në Tiranë dhe ka ndarë emocionet e tij përmes një postimi në rrjetet sociale.
Verma ka shprehur se është i emocionuar që ka arritur në Shqipëri dhe është i befasuar nga peizazhi i bukur. Ai gjithashtu ka theksuar se mezi pret të punojë ngushtësisht me partnerët shqiptarë për të forcuar lidhjet mes dy vendeve.
“Mbërrita në Shqipëri! I emocionuar që jam këtu dhe nis këtë udhëtim. Peizazhi është mahnitës dhe mezi pres të punoj me partnerët tanë,” shkroi Verma në postimin e tij.
Një ditë më parë, Departamenti i Shtetit i SHBA-së bëri të ditur axhendën e Verma-s, ku ai do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, forcimin e aftësive mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Po ashtu, ai do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj refugjatëve afganë.