“Zvicra e re? Do ishim të mërzitshëm” – Rama në intervistë me Richard Attias: Na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar…

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë ekskluzive në kuadër të forumit prestigjioz FII (Future Investment Initiative), i cili për herë të parë u zhvillua në Europë, pikërisht në Tiranë, pas edicioneve në Majemi dhe Lindjen e Mesme.

Rama u intervistua nga themeluesi dhe drejtuesi i platformës, Richard Attias, i njohur si një nga organizatorët më të rëndësishëm të ngjarjeve ekonomike në botë.

Gjatë bisedës, Attias e vlerësoi Shqipërinë si “Zvicrën e re të Europës”, për shkak të vendndodhjes gjeografike, harmonisë fetare dhe larmisë kulturore, ndërsa u shpreh i habitur pse vendi ka qenë deri më tani “kaq i heshtur”. Ai vuri në dukje se 90% e delegatëve pjesëmarrës në forum ishin impresionuar pozitivisht nga Shqipëria dhe Tirana.

Në përgjigje, kryeministri Rama e mori me humor krahasimin me Zvicrën, duke deklaruar se një Shqipëri “perfekte” do të ishte e mërzitshme. “U tremba pak kur thatë ‘Zvicra e re’. Nëse do të ishim si një orë zvicerane, do të ishim shumë të mërzitshëm. Unë do preferoja një ‘Itali të re’, me gjithë pasurinë e mikpritjes, kënaqësinë e ushqimit dhe me gjithë buzëqeshjen që sjell jeta mesdhetare,” tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti për natyrën, pozicionin dhe resurset që ka, por njëherazi edhe “i mallkuar nga historia”, duke nënkuptuar trashëgiminë e vështirë historike që ka ndikuar në zhvillimin e vendit. “Një vend me territor të vogël – vetëm 28 mijë kilometra katrorë – por me dy dete, male, nëntë lumenj, liqene, dhe një peizazh që ndryshon çdo kilometër. Shqipëria është një vend për t’u vizituar, për të qëndruar dhe për të investuar,” tha Rama, duke e cilësuar forumin FII si një dritare të madhe që i jep vendit mundësinë të bëhet pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të investimeve.

Richard Attias: Zoti Kryeministër, si e vlerësoni zhvillimin e Forumit të Iniciativës së Investimeve të Ardhshme (FII) për herë të parë në Europë, këtu në Tiranë?

Edi Rama: Ajo që ndodhi në Tiranë ishte e paimagjinueshme deri para pak kohësh. Dua të falënderoj ju dhe institucionin tuaj për këtë mundësi të jashtëzakonshme. Kjo është mënyra më e mirë për të bashkuar sektorin publik dhe privat, për të ndarë ide dhe për të ndërtuar ura kontakti mes njerëzve që vijnë nga realitete të ndryshme.

Richard Attias: Përse mendoni se është kaq e rëndësishme kjo platformë dhe çfarë momentesh mbresëlënëse do të veçonit?

Edi Rama: Ishte e jashtëzakonshme të kishim Presidentin francez këtu. Ai shkëmbeu kontakte me disa pjesëmarrës, përfshirë një ekspert të Inteligjencës Artificiale që punonte në Londër. Macron e ftoi të transferohej në Paris! Kjo tregon potencialin e madh të këtyre eventeve.

Richard Attias: Mua më pëlqen ta quaj Shqipërinë “Zvicra e re e Europës”. Është në qendër të kontinentit, ka tolerancë fetare, larmi kulturore. A ju pëlqen ky krahasim?

Edi Rama: Në të vërtetë, u tremba kur thatë “Zvicra e re”. Nëse do ishim të përsosur si një orë zvicerane, do ishim të mërzitshëm. Unë do preferoja që Shqipëria të shihej si një “Itali e re”, me mikpritje, ushqim të mirë, dhe buzëqeshje. Shqipëria nuk është për perfeksionin e akullt, por për ngrohtësinë dhe shpirtin mesdhetar.

Richard Attias: Si e përshkruani Shqipërinë në terma të natyrës dhe potencialit të saj?

Edi Rama: Na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia. Ky është një vend shumë i vogël – vetëm 28 mijë kilometra katrorë – por ka dy dete, male, nëntë lumenj, liqene dhe një peizazh që ndryshon çdo kilometër. Është vend për t’u vizituar, për të qëndruar, për të jetuar dhe për të investuar.

Richard Attias: A mendoni se historia ka ndikuar negativisht në zhvillimin e vendit?

Edi Rama: Po, historia ka qenë shpesh e ashpër me ne. Por, duhet të them se edhe ne kemi pasur përgjegjësitë tona. Shqipëria është përballur me vështirësi për shekuj, shpeshherë të vetëkrijuara, por tani është koha të ecim përpara dhe të tregojmë vlerat që kemi.

Richard Attias: Cila është e ardhmja që parashikoni për Shqipërinë?

Edi Rama: E ardhmja është e hapur. Nëse vazhdojmë të ndërtojmë me guxim, urtësi dhe pa komplekse, Shqipëria mund të bëhet një vend model në rajon. Por gjithmonë, duke ruajtur shpirtin, buzëqeshjen dhe identitetin tonë.