Zv. drejtori i policisë së Italisë Vittorio Rizzi takon Rrumbullakun


Prefekti Vittorio Rizzi dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Takimi u fokusua në rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm, në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe krimeve të tjera, në goditjen e grupeve kriminale që operojnë në të dyja vendet dhe në kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Në veçanti u vlerësua megaoperacioni antidrogë i koduar “Flakë në det”, që u zhvillua në Shqipëri, me mbështetje nga Guardia di Finanza dhe Interforca italiane.
Rizzi: “Ju falënderoj për mikpritjen dhe për mirësjelljen që tregoni sa herë që ne takohemi. Modeli i bashkëpunimit dypalësh që ekziston aktualisht mes Shqipërisë dhe Italisë mund të konsiderohet një ndër shembujt më të mirë të bashkëpunimit dypalësh, që nuk e kemi me asnjë vend tjetër. Numrat që mund të përmendim në kuadër të bashkëpunimit me Shqipërinë, mund të them që janë të shkëlqyera. Vlen të përmendim vetëm që janë 14 skuadra hetimore të përbashkëta, ashtu siç janë 40 persona të kërkuar ndërkombëtarisht, të cilët janë arrestuar, numra të cilët ne nuk i arrijmë me asnjë vend tjetër në kuadër të bashkëpunimit.