Zv.drejtori i Burgjeve konfirmon hyrjen e modeles kosovare për të takuar Laert Haxhiun: Takimi nuk zgjati shumë

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Femi Sufaj, ka konfirmuar publikisht lajmin për takimin mes të dënuarit përjetë Laert Haxhiu dhe modeles së njohur nga Kosova, Ziza Pajaziti, në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë. Në një intervistë për Report Tv, Sufaj sqaroi se takimi ka ndodhur më 12 qershor 2025, por nuk ishte i gjatë dhe u zhvillua në dhomat e zakonshme të vizitave.

“U konstatua një shkelje e procedurave në burgun e Korçës, e cila vjen si e afërme dhe futet në takim. Ne kemi marrë qëndrimet tona administrative,” – deklaroi zyrtari i lartë, duke shtuar se nuk ka të dhëna për ndonjë rast tjetër të ngjashëm.

Pajaziti, sipas një raporti të brendshëm, ishte regjistruar për të takuar një tjetër të dënuar – Vladimir Kurtin, i cili vuan dënimin përjetë për një vrasje në Kamëz. Por në realitet, modelja u takua me Laert Haxhiun, i dënuar për një sërë vrasjesh dhe pjesë e grupeve të rrezikshme kriminale në Shqipëri.

Zv.drejtori Sufaj ka bërë të ditur gjithashtu se vetëm gjatë muajit qershor janë zhvilluar 100 takime intime në të gjitha burgjet e vendit, takime që lejohen me ligj vetëm për bashkëshortët apo bashkëjetuesit e të dënuarve. Në total, janë regjistruar mbi 7 mijë takime me familjarët dhe mbi 1 mijë me avokatët.

Sufaj e ka cilësuar si të ekzagjeruar zhurmën mediatike që u krijua pas publikimit të këtij takimi, ndërsa ka theksuar se takimi nuk ishte i zgjatur dhe nuk u zhvillua në kushte të veçanta.