Zjarri tragjik në resortin e skive në Turqi, shkon në 66 numri i viktimave! Turistët u shpëtuan me çarçafë nga dritaret

Një tragjedi e rëndë ka goditur resortin e skive Kartalkaya në provincën Bolu, Turqi, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka marrë jetën e 66 personave dhe ka lënë të plagosur 51 të tjerë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, 21 janar, në orët e para të ditës, duke kapur në gjumë shumicën e pushuesve.

Sipas raportimeve, zjarri filloi në restorantin e hotelit dhe u përhap me shpejtësi në të gjithë ndërtesën 12-katëshe për shkak të izolimit prej druri. Në hotel ishin të regjistruar 234 persona në momentin e ngjarjes.

Momentet e shpëtimit dhe dëshmitë e mbijetesës

Pamjet e filmuara nga turistët tregojnë skena dramatike, ku vizitorët lidhën çarçafë për të zbritur nga dritaret, ndërsa të tjerë bërtisnin për ndihmë. Fatkeqësisht, dy nga viktimat humbën jetën pasi u hodhën nga ndërtesa në panik.

Guvernatori i rajonit, Abdulaziz Aydin, ka deklaruar se ekipet e emergjencës po punojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili ende mbetet i panjohur.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, duke theksuar rëndësinë e zbardhjes së ngjarjes dhe marrjes së masave për të parandaluar tragjedi të ngjashme.