Zjarri shkrumbon fshatrat në Vlorë

Rreth 30 hektarë tokë me bimësi dhe shkurre si dhe 600 rrënjë ullinj janë djegur nga zjarri që përfshiu të dielën fshatin Hoshtimë të Vlorës, por edhe zonën e fshatrave Kërkovë dhe Bestrovë.

Ky është bilanci paraprak i konfirmuar nga kreu i emergjencave civile në bashkinë e Vlorës, Ardian Vreshtazi. Sipas tij, falë ndërhyrjes së koordinuar të të gjitha strukturave, zjarri është vënë nën kontroll dhe shuar plotësisht rreth orës 23:30 të mbrëmjes së së dielës, ndërsa zona vijon të jetë nën monitorim të vazhdueshëm për të shmangur rindezjet e mundshme.

“Fatmirësisht, nuk pati pasoja për banorët, megjithëse në momentet e para të përhapjes së flakëve u bë e nevojshme evakuimi i disa familjeve nga shtëpitë e tyre,” u shpreh Vreshtazi, duke theksuar se paralelisht me menaxhimin e situatës do të nisë edhe një hetim për të zbuluar shkakun e zjarrit.

Flakët shpërthyen fillimisht në fshatin Hoshtimë, ndërsa për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë, ato u përhapën me shpejtësi drejt fshatrave Kërkovë dhe Bestrovë. Ndërhyrja u krye si nga toka me forca zjarrfikëse dhe mjete rrethanore, ashtu edhe nga ajri, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt zonave të banuara.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo vatër zjarri në fazat e para për të shmangur situata të rrezikshme si kjo.