Zjarri në qendrën tregtare ende aktiv/ Forcat RENEA shpëtojnë dy fëmijë nga flakët në Lushnjë

Zjarri në qendrën tregtare ende është aktiv ndërkohë që tymi ka pushtuar të gjithë zonën. Mësohet se 35 persona ndodhen në spitalin e Lushnjës jashtë rrezikut për jetën, të cilët po marrin ndihmë mjekësore, pas flakëve në godinën në Lushnjë.

Në ndihmë të policisë ndodhen edhe forcat RENEA, të cilët nxorën dy fëmijë që ishin të izoluar dhe kishin dalë në tarracë, për t’i shpëtuar zjarrit.Zjarrfikësit po punojnë ende për fikjen totale të flakëve në ndërtesën 12 katëshe.

Rreth orës 14:40 një zjarr i frikshëm përfshiu njërin prej kateve të qendrës tregtare në Lushnjë.

Nga dyshimet e para, shkak mund të jetë mbinxehja e kondicionerëve, pasi qendra ka qenë e mbipopulluar dhe ka pasur fluks njerëzish, të cilët kishin dalë për Krishtlindje. Gjithsesi policia ende nuk ka dalë në një deklaratë zyrtare se çfarë e shkaktoi këtë zjarr.

Zjarri është përhapur me shpejtësi, ndërsa shumë persona kanë mbetur të bllokuar në katet e sipërme të godinës.

Tymi përfshiu të gjithë pallatin, ndërsa mësohet se nuk kishte dalje emergjente për raste rreziku.

Një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit.