Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës, Forcat e Armatosura në ndihmë për shuarjen e flakëve – situata mbetet kritike
Zjarri që ka përfshirë prej ditësh Parkun Kombëtar të Lurës vijon të jetë aktiv dhe jashtë kontrollit. Terreni i thepisur dhe era e fortë po e bëjnë të pamundur izolimin e vatrës së flakëve nga grupet e angazhuara në terren.
Sipas informacioneve zyrtare, zjarri është përhapur në një zonë të vështirë malore me bimësi të rrallë, përfshirë ah, pisha dhe barishte, dhe aktualisht është aktiv në të paktën një vatër, e cila po përhapet më tej për shkak të kushteve atmosferike.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar:
– 6 forca të MZSH,
– 16 forca të ADZM,
– 5 punonjës të njësisë administrative Lurë,
– 12 forca vullnetare,
– dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Ndonëse puna po vijon me intensitet, ende nuk ka një përllogaritje zyrtare të sipërfaqes së përfshirë nga flakët, por paraprakisht flitet për disa hektarë të djegur. Sipas autoriteteve, vatra mbetet aktive dhe e vështirë për t’u menaxhuar për shkak të terrenit të vështirë dhe pranisë së erës së fortë që ndihmon përhapjen e zjarrit.