Zjarri në Mallakastër përfshin ullishte dhe shkurre, era e fortë dhe terreni vështirësojnë ndërhyrjen

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mbrëmjen e sotme në fshatin Drenovë, në bashkinë Mallakastër, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe me shkurre dhe ullishte.

Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, veçanërisht erës së fortë, e cila ka favorizuar përhapjen e zjarrit në një zonë kodrinore me terren të thyer.

Forcat zjarrfikëse janë angazhuar menjëherë në vendngjarje për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme në zona të banuara apo të mbjella.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se ndërhyrja është e vështirësuar, por përpjekjet për shuarjen e zjarrit vijojnë me intensitet.