Zjarri në landfillin e Vlorës, kryebashkiaku Dredha vëzhgon nga afër situatën
Një vatër zjarri ka prekur fushën e mbetjeve në Vlorë, një situatë që vijon prej ditës së djeshme.
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, ka ndjekur nga afër zhvillimet dhe ka konfirmuar se strukturat përgjegjëse janë në terren. Aktualisht, në zonë ka një prani të shtuar tymi, e ndikuar edhe nga era e fortë.
Dredha është ndalur edhe te landfilli i ri, i cili pritet të vihet në funksion brenda kësaj jave. Ndërkohë, fusha aktuale e mbetjeve do të kapsulohet duke u mbuluar me dhe, me synimin për të shmangur problematika gjatë sezonit turistik, si në Vlorë ashtu edhe në Orikum.
Zjarri, i cili ka përfshirë zonën që prej mbrëmjes, vijon të monitorohet për të parandaluar përhapjen dhe pasojat e mëtejshme.