Zjarri në Gjirokastër, asfiksohet çifti nga rrjedhja e gazit
Një shpërthim i shkaktuar nga një rrjedhje gazi ka përfshirë në flakë një banesë në lagjen “18 Shtatori” të Gjirokastrës sot pasdite.
Zjarri shpërtheu në shtëpinë e 86-vjeçarit Piro Kristidhi, pasi ai nuk kishte mundur të kryente montimin e duhur të bombolës së gazit në sobën e ngrohjes. Kur tentoi ta ndizte sobën, shpërtheu rrjedhja e gazit dhe banesa u përfshi nga flakët.
Pasi u lajmëruan, shërbimet zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe ndërhynë për të vënë nën kontroll flakët, duke parandaluar përhapjen e tyre në banesat e tjera të pallatit. Ndërkohë, Piro Kristidhi arriti të dalë nga banesa në kohë, por u asfiksoa nga tymi dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.
Në ngjarje u përfshi gjithashtu bashkëshortja e tij, A. K., e cila gjithashtu u asfiksoa dhe u dërgua në spital, por sipas mjekëve, të dy të moshuarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia ndërhyri për të evakuuar banorët e tjerë të pallatit, ndërsa zjarrfikësit shuan plotësisht zjarret. Grupi hetimor është duke punuar për të zbardhur rrethanat dhe dokumentuar ligjërisht këtë ngjarje.