Zjarri në Dukat, prefekti i Vlorës: Intensiteti ka rënë, policia po heton për shkakun, ka pasur disa ndalime
Prefekti i qarkut Vlorë, Plator Nesturi, e cilëson situatën veçanërisht të rrezikshme në zonën ku mali i Dukatit ndahet me Llogaranë, ku terreni i vështirë e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka.
Aktualisht, dy helikopterë janë duke punuar nga ajri, duke hedhur ujë mbi zonën malore. Prefekti thekson se po vijohet me intensitet për të mos lejuar avancimin e flakëve drejt Llogarasë.
Prej orëve të para të mëngjesit, në terren janë rreth 80 efektivë të Forcave të Armatosura, 20 zjarrfikës, përfaqësues të Emergjencave Civile, të ADZM-së, si dhe banorë të zonës. Zjarri, që vijon prej pesë ditësh, ka përfshirë një sipërfaqe të madhe me pisha, bredha dhe bimësi të ndryshme.
Autoritetet mbeten në gatishmëri, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve në malin e Dukatit vijon me intensitet. Situata mbetet e paqëndrueshme për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike.