Intensifikohen forcat, zjarri në Dukat kërcënon Parkun Kombëtar të Llogarasë
Operacioni për kontrollin dhe shuarjen e zjarrit që ka përfshirë zonat malore të Dukatit vijon me intensitet të lartë, me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve drejt jugut, ku ndodhet Parku Kombëtar i Llogarasë, një zonë me rëndësi të veçantë ekologjike dhe turistike.
Në terren janë angazhuar forcat e Ushtrisë nga Batalioni i Parë i Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, në bashkëpunim me strukturat zjarrfikëse dhe emergjencat civile. Forcat janë organizuar në katër grupe taktike përgjatë vijës së zjarrit, duke vepruar në koordinim të plotë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbajtur situatën nën kontroll.
Në mbështetje të operacionit po operon edhe një helikopter, i cili ndihmon nga ajri në zonat më të paarritshme, duke mundësuar ndërhyrje të shpejtë dhe më efikase.
Pavarësisht vështirësive të terrenit të thepisur dhe bimësisë së dendur, përpjekjet për mbrojtjen e Parkut Kombëtar dhe zonave përreth po vijojnë me përkushtim maksimal. Forcat në terren janë në gatishmëri të plotë, ndërsa situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm për të shmangur çdo përkeqësim të mundshëm.