Zjarret shkatërruese në Los Angelos/Kapet në flagrancë i pastrehu, tentoi zjarrvënie me bombol gazi

Një person i pastrehë është ndaluar nga banorët e Woodland Hills, Los Angeles, nën dyshimin për zjarrvënie. Ai u kap në flagrancë ndërsa përpiqej t’i vinte flakën disa pemëve të Krishtlindjeve dhe koshave të plehrave, në të njëjtën zonë ku shpërtheu zjarri i njohur si “Kenneth Fire”.

Sipas dëshmitarëve, i dyshuari ishte duke udhëtuar me biçikletë dhe mbante një send të dyshimtë, të përshkruar nga banorët si një bombol gazi ose një ndezës zjarri. Një nga fqinjët, që ishte në oborrin e shtëpisë së saj, dëgjoi një burrë që thërriste: “Fqinjë, ai po përpiqet të ndezë zjarr! Telefononi 911!”

Banorët vepruan menjëherë dhe rrethuan të dyshuarin ndërsa ai përpiqej të largohej. Incidenti është filmuar pjesërisht, ku shihet se fqinjët e neutralizuan burrin duke përdorur zinxhirë dhe një litar për ta mbajtur të ndaluar derisa mbërriti policia.

Policia konfirmoi se një person është arrestuar në lidhje me zjarrin “Kenneth”, i cili shpërtheu të enjten në West Hills, Los Angeles. Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse i dyshuari ka lidhje me zjarret e tjera në zonë.