Zjarret masive që kanë përfshirë Los Angeles kanë shkaktuar deri më tani 16 viktima dhe kanë detyruar evakuimin e mbi 153,000 personave. Situata vijon të jetë kritike, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal.
Autoritetet e shëndetit publik u kanë bërë thirrje banorëve të zonave të prekura të qëndrojnë brenda për shkak të niveleve alarmante të tymit dhe hirit në ajër, të cilat përbëjnë rrezik serioz për shëndetin. Për momentin, raportohet se 13 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet.
Flakët kanë shkatërruar shumë vila luksoze që i përkasin yjeve të Hollivudit. Ndër të prekurit është Paris Hilton, e cila ka treguar se shtëpia e saj në Malibu është shkrumbuar. Hilton ka hapur një fond emergjence për të ndihmuar familjet e zhvendosura, duke kontribuar fillimisht me një donacion prej 82,000 dollarësh.
Edhe aktori Mel Gibson ka humbur shtëpinë e tij familjare. “Të shohësh gjithçka të shkatërrohet nga flakët është emocionalisht e vështirë,” është shprehur ai për mediat.
Shërbimet zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës janë duke punuar pa ndërprerje për të vënë nën kontroll zjarret, megjithatë erërat e forta dhe kushtet e thata po pengojnë përpjekjet e tyre. Ndërkohë, janë ngritur strehimore të përkohshme për banorët e evakuuar, ndërsa organizatat humanitare po shpërndajnë ndihma dhe furnizime të nevojshme.
Kjo është një nga situatat më të rënda të zjarreve në historinë e Los Angeles, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për përkeqësim të situatës nëse moti nuk përmirësohet.