Zjarret përfshijnë vendin! 24 vatra në 24 orë, mbi 150 hektarë tokë të djegur – Lura, Fier dhe Borshi nën flakë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike të dhënat më të fundit mbi situatën alarmante të zjarreve në vend, duke konfirmuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar plot 24 vatra aktive në disa qarqe të Shqipërisë. Katër prej tyre vijojnë të jenë ende aktive dhe po shkaktojnë dëme të mëdha në territor, veçanërisht në Dibër, Fier dhe Vlorë.

Sipas Emergjencave Civile, mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi janë përfshirë nga flakët, ndërsa rreth 3,000 rrënjë ullinj janë shkatërruar, duke shkaktuar pasoja serioze për bujqësinë dhe mjedisin.

Në terren janë angazhuar:

  • 57 mjete zjarrfikëse,
  • 538 forca operacionale,
  • 2 helikopterë që kanë ndërhyrë nga ajri,
  • 50 trupa të Forcave të Armatosura,
  • 5 automjete zjarrfikëse, të dislokuara në zonat më të rrezikuara që prej mëngjesit të sotëm.

Zjarri më i rrezikshëm aktualisht ndodhet në Parkun Kombëtar të Lurës, Dibër. Dy vatra aktive janë identifikuar: një pranë Gurë Lurës dhe një tjetër afër kanalit të ujit të HEC-it, e cila monitorohet nga afër. Ndërkohë, një tjetër vatër po përhapet me shpejtësi drejt bashkisë Mat, përmes Malit të Dejës.

Situata mbetet e rënduar edhe në:

-Bulqizë (Mali i Peladhisë, mbi 32 hektarë të djegura),

-Fier-Mallakastër (Drenovë–Gorishovë, me rrezik të lartë për ullishtet),

-Borsh të Himarës, ku një sipërfaqe e madhe pyjore ende nuk është izoluar plotësisht.

Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron se nuk priten reshje gjatë ditëve në vijim, ndërsa rreziku për zjarre mbetet i lartë në qarqet: Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër.