Zjarret përfshijnë Turqinë prej 7 ditësh! Organizata kurde merr përgjegjësinë për dhjetëra zjarrvënie
Prej shtatë ditësh, Turqia ndodhet nën pushtetin e flakëve që kanë përfshirë rajone të tëra, duke shkaktuar humbje jetësh, dëme të mëdha materiale dhe frikë mes qytetarëve.
Bilanci i deritanishëm flet për dy viktima dhe qindra shtëpi të shkatërruara, ndërsa zjarret kanë përfshirë zona të ndryshme, përfshirë edhe rajone turistike të njohura.
Sipas agjencisë shtetërore Anadolu, viktima e parë ishte një burrë 81-vjeçar, i cili ishte i paralizuar dhe ndodhej vetëm në banesën e tij kur ajo u përfshi nga flakët. Viktima e dytë, Ibrahîm Demir, ishte një punonjës i emergjencave që humbi jetën gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin në rajonin Edremit.
Ajo që e ka shtuar edhe më shumë tronditjen është marrja e përgjegjësisë për zjarrvëniet nga një organizatë kurde, që e quan veten “Fëmijët e Zjarrit”.
Në një deklaratë të publikuar online, kjo organizatë ka pohuar se është përgjegjëse për “dhjetëra zjarrvënie në gjashtë qytete të Turqisë”, duke pretenduar gjithashtu një lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) – një organizatë e shpallur terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE.
PKK-ja, e cila në muajin maj shpalli fundin e luftës së armatosur 40-vjeçare dhe vetë-shpërbërjen, nuk ka dhënë ende asnjë koment në lidhje me këtë deklaratë.
Në terren, forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga helikopterë dhe avionë zjarrfikës, po punojnë intensivisht për të vënë nën kontroll vatrat e shumta të zjarrit. Situata më e rëndë paraqitet në zonat malore përreth Izmirit, ku autoritetet kanë mbyllur disa rrugë afër destinacionit turistik të njohur, Çeşme.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, ka njoftuar se rreth 200 banesa janë shkatërruar, ndërsa qytetarëve të prekur u janë ofruar strehime të përkohshme.
Ndërkohë, zjarre të tjera janë regjistruar sot edhe në Antalia dhe në periferi të Stambollit, por fatmirësisht shumë prej tyre janë vënë nën kontroll nga shërbimet emergjente.