Zjarret përfshijnë 13 bashki në vend, digjen qindra hektarë dhe pemëtari – 4 vatra ende aktive, ndërhyrje nga toka dhe ajri

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 4 vatra mbeten ende aktive. Zjarret janë evidentuar në bashkitë Dibër, Bulqizë, Mat, Rrogozhinë, Vorë, Tiranë, Vlorë, Kuçovë, Krujë, Librazhd, Prrenjas, Malësi e Madhe dhe Korçë, ku janë djegur mbi 292 hektarë sipërfaqe me shkurre, bimësi dhe pemëtari, përfshirë më shumë se 1000 rrënjë kumbulla, qershi e ullinj.

Në Parkun Kombëtar të Lurës, te “Liqeni i Luleve”, zjarri vijon të përhapet në një sipërfaqe të gjerë me pisha dhe livadh, duke djegur rreth 150 ha. Terreni i thyer dhe era e fortë kanë vështirësuar ndërhyrjen e forcave në terren, ndërsa në ndihmë janë angazhuar edhe 100 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në Bulqizë, është riaktivizuar zjarri në “Malin e Peladhisë”, në njësinë administrative Zerqan, që po përhapet në drejtim të “Majës së Vlashes”. Zjarri është i ndihmuar nga temperaturat e larta dhe erërat.

Ndërhyrje po bëhet edhe në fshatin Arras të bashkisë Dibër, ku flakët rrezikojnë banesat për shkak të përhapjes së tyre në drejtim të fshatit Shumbat në njësinë Sllovë.

Një tjetër vatër aktive është në Mallakastër, në fshatin Drenovë, ku gjatë natës zjarri ka avancuar në masivin pyjor. Në terren janë 13 forca të MZSH, 15 forca bashkiake dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë gjithsej 36 automjete zjarrfikëse dhe 394 forca operacionale. Gjithashtu janë angazhuar edhe 130 trupa të FA-ve dhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme parashikohen reshje të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër. Ndërkohë, rreziku për përhapjen e zjarreve në pyje vlerësohet “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër dhe “I MODERUAR” në qarqet e tjera.