Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 24 vatra në 24 orë, 6 ende aktive. Situatë problematike në landfillin e Elbasanit

Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar gjithsej 24 vatra zjarri në disa bashki të Shqipërisë, prej të cilave 6 mbeten ende aktive, duke vijuar të përbëjnë rrezik për banorët dhe mjedisin.

Sipas të dhënave zyrtare, zjarret janë përhapur kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, duke djegur rreth 7 hektarë tokë dhe duke shkaktuar dëme materiale në disa banesa në zona të ndryshme.

Vatrat janë evidentuar në këto bashki: Elbasan, Finiq, Delvinë, Selenicë, Vlorë, Tiranë, Vorë, Krujë, Has, Mat, Malësi e Madhe, Kurbin, Korçë, Poliçan dhe Gjirokastër.

Një nga zonat më problematike mbetet vendgrumbullimi i mbetjeve në Elbasan, ku zjarri ka shpërthyer disa ditë më parë dhe ende nuk është shuar plotësisht.

Sipas Ministrisë, gjatë ditës së djeshme u punua intensivisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, ndërsa një grup ekspertësh ishte në terren për matjen e ndotjes së ajrit.

Forcat operacionale do të vijojnë edhe sot punën për shuarjen e plotë të flakëve në këtë zonë, e cila përbën rrezik serioz për shëndetin publik dhe mjedisin përreth.