Zjarret në vend, bilanci: 9 vatra, 5 të shuara dhe 4 ende aktive! Situatë e vështirë në Vlorë, Elbasan, Kukës dhe Tiranë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publik bilancin e zjarreve të regjistruara në territorin e vendit për datën 4 korrik 2025, duke raportuar 9 vatra zjarri, nga të cilat 5 janë shuar, ndërsa 4 vijojnë të jenë aktive.

Sipas të dhënave të siguruara nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, që nga ora 09:00 deri në orën 14:30 janë regjistruar vatra zjarri në disa qarqe të vendit, ku zonat më problematike mbeten ato të Vlorës, Elbasanit, Kukësit dhe Tiranës.

Vatrat e shuar plotësisht janë:

-Burrel, njësia administrative Komsi, bashkia Mat

-Hajmel, nj.adm. Hajmel, bashkia Vau-Dejës

-Perondi, nj.adm. Perondi, bashkia Kuçovë

-Lagjja “Gur i Bardh”, nj.adm. Ura Vajgurore, bashkia Dimal

Draç, nj.adm. Ishëm, bashkia Durrës

Vatrat ende aktive janë:

-Qarku Vlorë – Ndërmjet fshatrave Grazhdan dhe Malçan (bashkia Finiq): Zjarri vijon në Malin e Shedenikut, në një terren të paarritshëm për këmbësorë. Po monitorohet nga 1 automjet zjarrfikës me 3 efektivë dhe punonjës të shërbimit pyjor.

-Qarku Elbasan – Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në bashkinë Elbasan: Zjarri është përqendruar kryesisht në pjesën perëndimore të zonës dhe shuarja po vazhdon me mjete zjarrfikëse.

-Qarku Kukës – Midis fshatrave Gjinaj dhe Domaj (bashkia Has): Zjarri në një zonë malore me pyll pishe mbetet aktiv. Në terren po punojnë 10 punonjës të shërbimit pyjor, 5 forca zjarrfikëse, 4 forca policie, 7 punonjës bashkiakë dhe 10 vullnetarë, por era dhe terreni i vështirë po e pengojnë përparimin.

-Qarku Tiranë – Në fshatin Bulticë, nj.adm. Vaqarr: Zjarri në një zonë me shkurre dhe ferra ka një intensitet të ulët. U ndërhy me helikopterin Cougar, i cili ka ndihmuar në izolimin e vatrës. Në terren janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe 20 efektivë të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të bashkisë Tiranë, të cilët po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve.