Zjarret në Los Angelos/ Princi Harry dhe Meghan Markle, në ndihmë të të prekurve

Teksa Kalifornia Jugore po përballet me pasojat shkatërruese të zjarreve masive në Los Anxhelos Meghan, Markle dhe Princ Harry kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre për komunitetin . Ata kanë hapur dyert e rezidencës së tyre për miqtë e evakuuar nga zonat e rrezikut. Çifti jeton rreth 90 milje në veri të Los Anxhelosit.

Veç strehimit të miqve, ata po bashkëpunojnë me Fondacionin e tyre “Archewell” për të gjetur mënyrat më efektive për të ndihmuar komunitetin gjatë kësaj krize. Fondacioni po angazhohet për të ofruar mbështetje për shëndetin mendor të të prekurve, si dhe për të lehtësuar përpjekjet për rimëkëmbjen afatgjatë. Harry dhe Meghan kanë dhuruar gjithashtu ushqime dhe veshje për familjet e prekura nga zjarret.

Këto zjarre, ndër më të mëdhatë që kanë përfshirë ndonjëherë Los Anxhelosin, kanë shkatërruar të paktën 10 mijë shtëpi dhe struktura të tjera, duke shkaktuar pasoja të rënda në zonën perëndimore të qytetit. Numri i viktimave u rrit nga 7 në 10 dhe autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rëndohet më tej. Sherifi i Qarkut të Los Anxhelosit, Robert Luna, e përshkroi situatën si katastrofike, duke thënë se “duket sikur një bombë atomike ka rënë në këto zona.”

Në një konferencë me kabinetin e tij, Presidenti Joe Biden njoftoi se ka vënë në gatishmëri burime federale dhe ka miratuar fonde shtesë për të ndihmuar Kaliforninë. Ai i cilësoi këto zjarre si “më të rëndët që kanë goditur ndonjëherë Los Anxhelosin.” Fondet e miratuara do të mbulojnë 100% të kostove për 180 ditë, duke përfshirë heqjen e materialeve të rrezikshme, strehimin e përkohshëm, pagat e personelit të emergjencës dhe masa të tjera për të mbrojtur jetën e banorëve.

Ndërkohë, një ndërprerje e përkohshme e erërave të forta pritet të ndihmojë në përpjekjet për shuarjen e flakëve, por në disa zona erërat e forta mund të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme