Zjarret në Bulqizë e Dibër jashtë kontrollit prej 10 ditësh – Qindra hektarë pyje të shkrumbuara, kërkohet ndërhyrje nga ajri
Situata nga zjarret në qarqet e Bulqizës dhe Dibrës vazhdon të jetë kritike, pasi flakët janë aktive prej më shumë se 10 ditësh, duke djegur qindra hektarë pyje. Zona më e goditur është Parku Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, ku zjarri ka dalë plotësisht jashtë kontrollit.
Vatra e madhe në këtë park është zgjeruar në një perimetër të gjerë, çka e ka bërë izolimin pothuajse të pamundur. Terreni i thyer dhe i paarritshëm po e pengon ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse dhe të shërbimeve të tjera emergjente.
Në terren ndodhen dhjetëra punonjës të pushtetit vendor, Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Bashkisë Dibër si dhe Forcat e Armatosura, por operacioni është mjaft i vështirë për shkak të erës së fortë dhe infrastrukturës së munguar.
Gjithashtu, situatë e rënduar paraqitet edhe në Bulqizë, ku një tjetër vatër zjarri në malin e “Vlashajt” në njësinë Shupenzë është përhapur mbi fshatin Godvi, duke rrezikuar banesat. Puna e zjarrfikësve të Bashkisë Bulqizë dhe e shërbimit pyjor është bërë e pamundur për shkak të terrenerëve të thepisur dhe rrezikut për jetën.
Autoritetet lokale i kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri, pasi shuarja nga toka është thuajse e pamundur.