Zjarr masiv në skenën e Tomorrowland në Belgjikë, rreth 1000 punonjës ndodheshin në vendngjarje

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë skenën kryesore të festivalit të famshëm të muzikës elektronike Tomorrowland në Boom, Belgjikë, vetëm pak ditë para nisjes zyrtare të ngjarjes. Flakët shpërthyen në një moment kur në vendngjarje ndodheshin rreth 1.000 punonjës, të angazhuar në përgatitjet e fundit për festivalin. Fatmirësisht, në atë çast nuk kishte spektatorë të pranishëm, pasi festivali ende nuk kishte filluar.

Autoritetet lokale kanë njoftuar se tymi i dendur dhe i zi që po ngrihet nga zjarri është shumë i rrezikshëm për zonën përreth. Ata u kanë bërë thirrje banorëve të mbyllin dritaret dhe dyert, ndërsa forcat zjarrfikëse po përpiqen ta vënë nën kontroll situatën. Deri më tani nuk është raportuar për persona të lënduar, por rreziqet mbeten të larta për shkak të përmasave të zjarrit.

Një zëdhënës i Tomorrowland deklaroi për mediat lokale: “Prioriteti ynë tani është siguria e vizitorëve dhe banorëve të zonës përreth.” Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë së Boom, Jérôme Baert, ka ndërprerë pushimet e tij në Gjermani dhe është kthyer menjëherë për të ndjekur nga afër zhvillimet.