Zjarr masiv në Kretë! Evakuohen mbi 5 mijë persona, flakët djegin shtëpi dhe serra në Agia Fotia e Ferma

Një zjarr me përmasa masive ka përfshirë zonën e Ierapetrës në Kretë të Greqisë, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e emergjencës. Sipas mediave greke, situata është përshkruar si “alarmante”, ndërsa era e fortë po përhap me shpejtësi vatrat, duke rrezikuar zona të tëra të banuara dhe turistike.

Zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve, Yiannis Vathrakoyannis, konfirmoi në orët e mëngjesit se flakët janë shpërndarë në disa drejtime dhe se erërat e fuqishme po krijojnë vatra të reja të vazhdueshme. “Po përballemi me muajin më të nxehtë dhe më të vështirë të vitit. Korriku është kritiku për zjarret, sidomos me këto kushte erërash të forta”, deklaroi ai.

Si pasojë e rrezikut, pas një mesazhi urgjent nga sistemi i emergjencës 112, janë evakuuar vendbanimet Agia Fotia, Achlia, Galini, Ferma dhe Koutsounari. Flakët kanë përfshirë disa banesa dhe serra, ndërsa tymi ka arritur deri në bregdetin pranë Makrys Gialos, duke detyruar turistët dhe pushuesit të largohen me anije dhe jahte.

Raportimet nga vendngjarja konfirmojnë se mbi 5 mijë persona janë larguar nga zonat e prekura, përfshirë banorë lokalë dhe turistë. Në Ferma, situata është më e rënduar, ku zjarri është afruar në mënyrë të rrezikshme pranë hoteleve dhe dhomave me qira, duke detyruar evakuimin e natës të mërkurën.