Zhvlerësimi i euros dhe efektet negative/ Eksportuesit humbën 35 mln euro në 6 muaj, fasonët paralajmërojnë shkurtimin e vende të punës

Eksportuesit shqiptarë kanë nxjerrë një bilanc të parë të humbjeve nga zhvlerësimi i Euros në kursin e këmbimit me Lekun. Në studimin mbi “Mbi Nevojën e Adaptimit të Strukturës së Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë” të hartuar nga anëtarë të Zyrës së Unifikuar të Bizneseve Eksporteve (ZUBE) vlerësohet se humbjet nga zhvlerësimi i euros të eksportuesit për janar-qershor 2023 arritën në 34,8 milionë euro. “Kjo tendencë tregon për humbjet e vazhdueshme të eksportuesve shqiptarë të shkaktuar nga ndryshimet në kursin e këmbimit, duke ndikuar pasoja të tjera negative socio-ekonomike, duke filluar që nga likuiditeti më i ulët i tyre për t’u furnizuar, reduktim në numrin e punonjësve, e përkthyer kjo në efekte të tjera zinxhir, si ulja e konsumit, ulja e investimeve, etj”, theksohet në studim.

Ndër sektorët me humbjet më të lartë nga kursi i këmbimit vlerësohen sektori i veshjeve dhe këpucëve me fuqi punëtore, sipas studimit, prej 200,000 të punësuarish.

Nga analiza e kryer nga ZUBE vlerësohet se për shkak të vështirësive të krijuara nga kursi i këmbimit për të ruajtur qëndrueshmërinë e aktivitetit ndërmarrjet e fasonerive mund të shkurtojnë numrin e punonjësve.

“Nëse në analizë do të marrim pagën minimale si referencë (karakterizuar ky sektor), mund të bëhen vlerësime konkrete edhe të numrit të punonjësve që duhet të shkurtojnë këto biznese, vetëm për shkak të vështirësive të krijuara nga kursi i këmbimit në mënyrë që të mbajnë treguesit makroekonomik të tyre të qëndrueshëm”, citohet në studim.

 

 

Në mbështetje të eksportuesve, në studim rekomandohen marrja e një sërë masash nga Banka e Shqipërisë dhe institucionet e tjera shtetërore që nga skemat në mbështetje të eksportuesve deri te ndërhyrjet e BSH-së që mund të zbatojë një politikë të përshtatshme të kursit të këmbimit për të ruajtur një vlerë konkurruese të monedhës.

Të premten, shoqatat e eksportuesve i dërguan një letër kryeministrit Edi Rama, ku kërknin marrjen e masave për të zbutur pasojat e rënda që po përjetojnë kompanitë prodhuese për eksport nga mbiçmimi i lartë i monedhës kombëtare. /Monitor