Zhdukja më masive e jetës në Tokë ndodhi 252 milionë vite më parë – shkencëtarët zbulojnë shkakun
Rreth 252 milionë vite më parë, jeta në Tokë u godit nga ngjarja më katastrofike në histori – një zhdukje masive, e njohur si “Shuarja e Madhe”, që fshiu rreth 90% të të gjitha specieve nga faqja e planetit. Ndonëse shkencëtarët prej kohësh kishin dyshuar se fajtor ishte aktiviteti vullkanik masiv në rajonin e Shkëmbinjve Siberianë, tani një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh thotë se më në fund ka zbuluar shkakun që e bëri Tokën të qëndronte e nxehtë për 5 milionë vjet pas zhdukjes: kolapsi i pyjeve tropikale.
Këto zbulime, të publikuara në revistën Nature Communications, jo vetëm që zgjidhin një mister të lashtë, por shërbejnë si një paralajmërim për të ardhmen tonë, teksa ngrohja globale po përshpejtohet nga aktiviteti njerëzor.
Sipas studimit, aktiviteti vullkanik në Siberi çliroi sasi kolosale dioksidi karboni, që nxehën atmosferën, shkaktuan acidifikim të oqeaneve dhe zhdukën mijëra specie. Por ajo që nuk kuptohej deri më sot ishte pse planeti qëndroi i mbërthyer në kushte “super-serrë” edhe pasi vullkanet pushuan.
Zgjidhja, sipas studiuesve të Universitetit të Leeds-it dhe Universitetit të Gjeoshkencave të Kinës, qëndron te zhdukja e plotë e pyjeve, veçanërisht atyre tropikale. Analiza e fosileve dhe formacioneve shkëmbore në Kinë tregoi se gjatë kësaj periudhe bimësia u zhduk krejtësisht, duke çuar në kolaps të ciklit të karbonit.
“Kjo është zhdukja e vetme masive ku të gjitha bimët zhduken”, tha prof. Benjamin Mills, bashkautor i studimit.
Pa pemë dhe pyje, karboni nuk mund të përthithej më nga atmosfera, duke e lënë Tokën të mbërthyer në një krizë të zgjatur ngrohjeje. Rrënjët e pemëve, që zakonisht ndihmojnë në thithjen e karbonit përmes proceseve kimike me shkëmbinjtë dhe ujin e shiut, u zhdukën gjithashtu, duke bllokuar procesin e “pastrimit natyror” të atmosferës.
Prof. Michael Benton nga Universiteti i Bristol-it, i cili nuk ishte pjesë e studimit, vlerësoi rëndësinë e kërkimit:
“Mungesa e pyjeve ndikon seriozisht në ciklet normale të oksigjenit dhe karbonit dhe e bën të pamundur uljen e CO₂ për miliona vjet.”
Studiuesit paralajmërojnë se ngrohja globale e sotme mund të na afrojë me një pikë të ngjashme kritike: Nëse pyjet tropikale moderne ngrohen përtej kufijve të qëndrueshmërisë, ato mund të kolapsojnë, dhe pasojat të jenë të pakthyeshme.
“Edhe nëse ndalojmë ndotjen, ngrohja mund të përshpejtohet,” paralajmëroi prof. Mills.
“Ka një pikë kritike. Nëse e kalojmë, dëmi është i pakthyeshëm për jetën.”
Megjithatë, një fije shprese mbetet: pyjet e sotme mund të jenë më rezistente se ato të periudhës Permiane.