Zhdukja e çunave të Belgjikës apo e shkuara e të atit, misteret e atentatit në Vlorë

Mister mbeten motivet e atentatit mafioz të ndodhur mbrëmjen e të dielës në Vlorë, ku 23-vjeçari Gëzim Sinomati u ekzekutua me snajper teksa po konsumonte një cigare në ballkonin e banesës.

Pistat e konfirmuara zyrtarisht lidhen me të shkuarën kriminale të Sokol Sinomatit, babait të viktimës dhe aktivitetin e tij të pas viteve 97-të.

Por autoritet nuk përjashtojnë as vrasjen me motive të konflikteve të kohëve të fundit në Belgjikë, për një sasi të vjedhur të kokainës, ku rezultojnë të vrarë dy persona gjatë muajve të fundit.

Gjatë viteve të fundit “banda e Belgjikës”, është sulmuar disa herë dhe numëron 6 anëtarë të zhdukur ose humbur mes viteve 2014-2016. Gjithashtu 4 pjesëtarë të kësaj bande janë vrarë në atentate të ndodhura në vitet 2019-2020 duke përfshirë edhe ngjarjen e të dielës.

Në krye të hetimeve ka qënë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili ka sqaruar se prej 24 orësh po zhvillon analizë të detajuar, ndërsa janë hedhur në tavolinë të gjitha dosjet e vjetra. Sipas kreut të policisë së shtetit ndihmë është kërkuar edhe nga institucione të tjera ligjzbatuese.

Sakaq, hetim ka nisur edhe ndaj punonjësve të OSHEE për t’i mësuar motivet e ndërprerjes së energjisë elektrike në momentin që ndodhi atentati.

Jo zyrtarisht ka pretendime se autorët mund të kenë ngatërruar shënjestrën, pasi objektiv mund të ketë qenë xhaxhai i tij Bernard Sinomati, i cili kishte rreth një vit që jetonte në Vlorë.

Kujtojmë se Bernard Sinomati i shpëtoi një atentati me tritol më 3 janar të vitit 2022.