Zhdukja e 3-vjeçarit në Durrës/ Gjyshi: Nuk tregoj ku ndodhet djali, më bëni çfarë të doni
DURRËS-Detaje të reja janë zbardhur prej humbjes së 3-vjeçarit nga Durrësi. Kontrollet e policisë në Kukës dhe Has, ku mendohet se ka shkuar gjyshja me nipin 3-vjeçar kanë rezultuar pa sukses. Policia ka ndaluar gjyshin 60-vjeçar, Rexhep Gjuni dhe Arben Selajn, vëllanë e bashkëshortes së tij, ndërsa në kërkim është shpallur kjo e fundit, Barie Gjuni dhe vëllai i saj tjetër, Flamur Selaj.
Ndërkaq ditën e sotme gjyshi Rexhep Gjuni ka deklaruar në polici se nusja i kishte kërcënuar se nuk do ta shikonim më nipin pasi do largoheshin së bashku më të jashtë shtetit dhe sipas tij prandaj kishin vepruar në këtë mënyrë.
Ai tregon se këto kanë qenë rrethanat, të cilat e kanë detyruar atë dhe familjen e tij të kryej këtë akt. Rexhepi rrëfen po ashtu kohën se kur janë prishur raportet me nusen e djalit të tij, i cili ndërroi jetë një vit më parë në një aksident.
“Me humbjen e djalit tonë në aksident, nipi zinte vendin e të dyve: edhe të tijën si nip po nëpërmjet pranisë së tij shohim edhe djalin tonë që s’jeton më. Me nusen nisen debatet që ditët e para që na vdiq djali. Donte të ikte në shtëpinë e prindërve të saj, pa mbush as 40 ditë që bashkëshorti i kishte vdekur. Edhe me pas kemi pasur kontradikta për të marrë djalin (nipin) pasi nuk donte qe ne ta takonim. Pastaj na e lejonte ta takonim shume rrallë. Kur kërkonim qe ta merrnim në shtëpi që ta mbanim pak orë të çmalleshim, na thoshte merreni edhe këtë radhë se s’keni për ta parë më pasi do ta marrë e do iki jashtë shtetit të vazhdojmë jetën tonë. Ajo mund të vazhdojë jetën e saj se nuk ka të drejtë ta ndalojë askush, por nuk ka të drejtë të na mohojë faktin për të takuar nipin. Nga frika se nuk do ta shikonim me nipin, u organizuam ta merrnim dhe ta mbanim vete. Kemi marrë parasysh gjithçka. Nuk tregoj ku ndodhet djali. Me bëni çfarë të doni”,- ka deklaruar Rexhep Gjuni para oficerëve të policisë.