Zhdukja e 2 shoqeve në Lushnje 19 vite më parë, prokuroria rinis hetimet/ Misteri i dy trupave të paidentifikuar


Pas dëshmisë së publikuar nga “Pa Gjurmë” në Report Tv se dy shoqet, Nertila Osmani dhe Sonila Kryeziu janë vrarë dhe janë varrosur në Dunat e Divjakës, Prokuroria e Tiranës ka hapur hetimet. Drejtuesi i organit të akuzës në kryeqytet, Arens Çela ka konfirmuar lajmin pas interesimit të emisionit “Pa Gjurmë”. Në këtë dokument, Prokuroria sqaron se në 2004, periudhë kur u zhdukën 2 shoqet është hetuar vetëm për “rrëmbim personi” dhe aso kohe u mbyll çështja për shkak të mungesës së provave. E ndërsa pas publikimit të rastit në “Pa Gjurmë” në Report Tv në 10 mars 2023, prokuroria ka rihapur hetimet.

Nga ana tjetër, Report Tv ka marrë një informacion shumë të rëndësishëm që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të historisë së zhdukjes së dy shoqeve. Në vitin 2005, 1 vit pas zhdukjes së 2 vajzave, janë gjetur 2 trupa të pajetë dhe sot në varrezat e Divjakës ekzistojnë edhe 2 varre pa emër. Nuk dihet nëse këto 2 varre i përkasin 2 shoqeve. “Fjalën e fundit” do e thonë institucionet. Do duhet të bëhet zhvarrosja dhe të merren analizat e AND e të bëhen krahasimi me familjarët për të kuptuar nëse bëhet fjalë për Nertila Osmani dhe Sonila Kryeziu.

Pista kryesore e hetimit është se janë vrarë nga Arben Hoxha, kreu i bandës së Lushnjes, (i ekzekutuar në 2005), njëherazi edhe bashkëshorti i Nertilës, me të cilin kishte një fëmijë. Referuar dëshmisë që ka mbërritur në “Pa Gjurmë” nga një zonjë, identitetin e së cilës nuk e bëjmë publike, vrasja mund të ketë ndodhur për shkaqe banalë. “Nëqoftëse t’i i ktheje përgjigje Benit, të vriste në vend”, ka thënë dëshmitarja. Faktim që ka pasur një debat mes Nertila Osmanit dhe bashkëshortit të saj, Ben Hoxhës, e ka konfirmuar në studion e Report Tv edhe nëna Sonilës, Lirija.

“Një Dani nga Durrësi, Nertila i kishte bërë në telefon se “hajde se jam shumë e mërzitur”, Sonila dhe Nertila, nuk flisnin me njëra tjetrën dhe ka qenë ky Dani që ka ndërhyrë për t’i pajtuar. Nertila po qante se kishte pasur ditëlindjen e gocës dhe burri (Arben Hoxha) s’i kishte shkuar, Sonila kur pa Nertilën duke qarë u ul. Kjo i kishte thënë jam shumë e mërzitur, dua të iki, muhabeti ishte që të largoheshin të dyja drejt Maqedonisë së Veriut. Pinë kafe, i merr Dani dhe sjellin vajzën e vogël në shtëpi, Rominën dhe këto dalin prap. Cuni im i thotë Nertilës, “pse ke dalë ti ku e ke Benin” dhe kjo i thotë “e kam Benin në Maqedoni”. Nga ora 19:00, Sonila më thotë “nuk vonohem, do vij shpejt”. Pastaj telefoni dilte i fikur. Nuk e dimë a e kanë takuar Arben Hoxhën. Kur kanë qenë në kafe, Beni i ka rënë telefonin dhe i ka pyetur “ku jeni” që t’ju vij t’ju marr dhe Nertila ka filluar duke e sharë dhe duke e ofenduar”, ka thënë Lirija.

Dëshmitarja është e sigurt që ato janë vrarë dhe janë groposur nga pjesëtar të grupit të Ben Hoxhës.