Zhduket pa gjurmë 19-vjeçari nga Maliqi, i tha familjes se do shkonte në Belgjikë
Një 19-vjeçar është raportuar i zhdukur nga babai i tij në Policinë e Maliqit, pas largimit nga banesa më 3 shkurt. Babai i të riut, shtetasi A. H., 43 vjeç, ka kallëzuar në polici zhdukjen e djalit të tij, shtetasit A. H., duke deklaruar se nuk ka asnjë kontakt me të prej disa ditësh.
Sipas familjarëve, 19-vjeçari ndjek studimet në Tiranë. Në bisedën e fundit që ka pasur me ta, ai i ka informuar se do të largohej për në Belgjikë, por nuk ka dhënë më asnjë shenjë jete që nga ajo ditë.
Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e të riut, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë për hetime të mëtejshme.
Në këtë fazë, policia dhe familja kërkojnë ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e 19-vjeçarit.