Zhduket në rrethana misterioze 19-vjeçari shqiptar në Londër, policia: Gjetëm telefonin disa kilometra larg vendbanimit

Një 19-vjeçar shqiptar, Rogers Cena, është shpallur i zhdukur në rrethana misterioze në Londër, dhe policia ka nisur një kërkim intensiv për gjetjen e tij.

Rogers, banor i Peckham, një zonë e njohur për kriminalitet të lartë në jug-lindje të Londrës, u pa për herë të fundit më 22 janar 2025, rreth orës 15:17, teksa u largua për të shkuar në një dyqan lokal. Që prej asaj dite, nuk është dëgjuar më për të.

Policia ka bërë të ditur se telefoni i tij u gjet disa kilometra larg vendbanimit, në zonën e Waltham Cross, një vend i panjohur për të. Ky detaj ka shtuar shqetësimet mbi rrethanat e zhdukjes së tij.

“Forcat tona janë shumë të shqetësuara për këtë rast, pasi telefoni i tij ishte i vetmi mjet komunikimi që kishte me familjen. Ju lutemi, kushdo që ka informacion, na ndihmoni ta kthejmë këtë djalë pranë familjes së tij,” thuhet në deklaratën e policisë.

Rreziqet për të rinjtë shqiptarë në Britani
Raste të ngjashme zhdukjesh në Angli, Uells dhe Skoci janë bërë të zakonshme. Të rinjtë shqiptarë shpesh përballen me sfida të mëdha, duke përfshirë rrezikun e dëbimit nga Mbretëria e Bashkuar pas mbushjes së moshës 18 vjeç, nëse nuk arrijnë të fitojnë leje qëndrimi.

Në këto kushte, shumë prej tyre shkëpusin lidhjet me shërbimet sociale dhe përfundojnë në situata të vështira ekonomike dhe sociale. Kjo i bën ata pre të grupeve kriminale, të cilët shpesh i rekrutojnë për aktivitete të paligjshme si kultivimi i kanabisit apo shpërndarja e drogës.