Zhduket 5-vjeçari nga një kamping në Itali, policia luan zërin e nënës me altoparlant për ta gjetur

Alen Barnar Ganao, një djalosh vetëm 5-vjeç, është zhdukur pa lënë gjurmë që nga mbrëmja e së premtes, më 11 korrik, nga një kamping në zonën Latte të Ventimiglia-s, pranë kufirit Italo-Francez.

Fëmija ndodhej me familjen për pushime në ambientet e kampingut Por La Mar, kur në rrethana ende të paqarta humbi çdo kontakt me të afërmit. Rreth orës 19:30, një kalimtar e pa për herë të fundit të voglin teksa ndodhej i vetëm pranë një kalimi për këmbësorë dhe e ndihmoi të kalonte rrugën. Prej atij momenti, nuk ka më asnjë gjurmë për vendndodhjen e tij.

Autoritetet italiane kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kërkimi, duke përfshirë policinë, karabinierët, zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit malor dhe dhjetëra vullnetarë lokalë.

Sipas Corriere della Sera, ekziston dyshimi se fëmija mund të jetë në spektrin e autizmit, çka mund të shpjegojë pse nuk u përgjigjet thirrjeve dhe po e bën kërkimin jashtëzakonisht të vështirë.

Për të rritur mundësinë e lokalizimit, një automjet i pajisur me altoparlant është vendosur të lëvizë në zonë, duke luajtur zërin e regjistruar të nënës së Alenit, e cila e thërret në mënyrë emocionale. Vullnetarët po përdorin gjithashtu këngën e tij të preferuar, me shpresën se ai mund ta dëgjojë dhe të reagojë.

Pamjet e fundit të regjistruara nga kamerat e sigurisë tregojnë lëvizjet e djaloshit pak para zhdukjes. Ato janë duke u analizuar nga hetuesit për të kuptuar drejtimin e mundshëm që mund të ketë ndjekur.