Zgjohuni njerëz! Këmbanat e alarmit po bien fort …

Vrasja monstruoze e 14-vjeçarit në pragun e derës së shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” tregoi edhe njëherë se shoqëria jonë po rrit një brez tepër të egër. Autori i dyshuar, bashkëmoshatar i viktimës, ka postuar në rrjetet sociale pas krimit të rëndë  thikën me të cilën qëlloi disa herë Martinin, duke i marrë jetën.

Po ashtu ai pozon “me krenari” pas krimit teksa ndodhej në një makinë, e po ashtu shfaqet edhe dora e tij e fashuar, pasi ka mbetur i lënduar pas sulmit. Në sulmin me thikë ka mbetur i lënduar edhe një tjetër i mitur, shok me viktimën.  Po ashtu kanë qarkulluar edhe foto të thikës me përmasa të mëdha, me të cilët dyshohet se ka kryer aktin e rëndë. Por një tjetër video shqetësuese po qarkullon në rrjetet sociale, ku dy të mitur, flasin për ngjarjen.

Nga komunikimi mes tyre kuptohet që njëri prej fëmijëve  është kushëriri i autorit të dyshuar të vrasjes, ndërsa fëmija tjetër thotë se njihej me të virtualisht. Gjatë komunikimit ata shprehen se kushdo që i shan do ta bëjnë shembull, teksa jo vetëm që nuk dënojnë aktin e rëndë, por i japin zemër autorit të vrasjes së Martinit, vetëm 14 vjeç.

Kjo video duhet të shërbejë si një tjetër kambanë alarmi për të ndërgjegjësuar shoqërinë, prindërit, por dhe institucionet! Duhet të shërbejë për të reaguar në kohë dhe të për diskutuar e këshilluar fëmijët, për të marrë masa, apo edhe për të kontrolluar aktivitetin në rrjetet sociale.

Zgjohuni njerëz. Këmbanat e alarmit po bien fortë. Mos thoni më pas që nuk i dëgjuam. Mos thoni që nuk ranë se nuk kishte këmbana! Mos thoni që nuk e kuptuam atë që po na kanoset.