Zgjidhet me shumicë votash Presidenti i ri i Urdhrit të Stomatologut, Almiro Gurakuqi

Ditën e djeshme më 15.04.2025 u mblodh Asambleja Kombëtare me përfaques nga të 7 rajonet. Asambleja Kombëtare zgjodhi Këshillin Kombëtar të Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë.

Këshilli Kombëtar pas votimit të kandidaturave të paraqitura, zgjodhi me shumicë votash Doktorin e Shkencave Mjekësore Almiro Gurakuqi si President i Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë (USSH), kurse Dr. Besmir Okaj u zgjodh Zv/President i USSH.

Në përfundim të këtij procesi zgjedhor, Presidenti i sapo zgjedhur, Doktori i Shkencave Mjekësore Almiro Gurakuqi fillimisht falenderoi pjesëmarrësit dhe vijoi duke cekur se rrugëtimi për të arritur këtë ditë kishte qenë i gjatë dhe i vështirë, përmes një kalvari të gjatë procesesh dhe vendimesh gjyqësore që nisin nga Marsi i vitit 2016. Ndër të tjera, ai tha se kur Urdhëri i Stomatologut u krijua, të gjithë, përfshirë edhe vetë atë, kishin ëndërrën për të krijuar një institucion model, me barazi mes të barabartëve, ku të dëgjoheshin të gjithë njësoj, me të drejtën e fjalës dhe vendimmarrjes, pa u trajtuar si dele të zeza.

“Fatkeqësisht, me kalimin e kohës, duke mos njohur bazën ligjore, duke mos njohur statutin dhe shpesh të fokusuar vetëm tek profesioni, me dashje apo pa dashje, ata që duhet të vendosnin për fatin e stomatologëve në Shqipëri, filluan të ulnin kokën, herë për konsensus ngrinim dorën në gjysëmshtizë, herë edhe bojkotonin… Për një kohë të gjatë Urdhëri i Stomatologut, vijoi në rrugën e tij të gabuar, rrugë e cila me votën që u dha sot, u konfirmua se nuk kishte qenë rruga e duhur,”– u shpreh Gurakuqi në fjalën e tij.

Dr. Almiro Gurakuqi tha se Urdhri i Stomatologut është urdhri i gjithë dentistëve që nga Konispoli deri në Vermosh dhe edhe pse tashmë është në krye të këtij institucioni, mbetet një stomatolog i barabartë me kolegët e tij të cilët nuk duan t’u cënohet e ardhmja e profesionit, duan të ecin përpara me kurajo dhe të jetojnë me dinjitet.

Dr. Almiro Gurakuqi si President i sapo zgjedhur i Urdhrit të Stomatogut, e mbylli fjalën përshëndetëse me premtimin se ky institucion do të jetë dera e hapur ku çdo shqetësim apo problematikë do të adresohet, trajtohet dhe do të marrë zgjidhjen e duhur.