Zgjedhjet zvarrisin ekzekutimin e 61 milionë eurove nga BE-ja për Kosovën

Kosova do të presë deri në konstituimin e Kuvendit të ri për marrjen e këstit të parë prej 61 milionë eurove nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtarë në Kuvend, të cilat nuk mund të ndodhin tani pasi ka përfunduar legjislatura dhe vendi mban zgjedhjet më 9 shkurt.

Në Qeverinë e Kosovës, thonë se porsa të miratohen marrëveshjet në Kuvend mjetet do të disbursohen dhe se vonesat nuk ndërlidhen me masat që BE-ja i ka vendosur Kosovës.

Plani i rritjes është kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave Kosova do të përfitojë deri në 882.6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro, janë hua afatgjatë.

Qeveria e Kosovës në tetor të vitit 2024 ka miratuarAgjendën e Reformave në kudër të Instrumentit të Bashkimit Evropian për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, të cilën e ka aprovuar edhe Komisioni Evropian./KP/