Zgjedhjet vendore/ Celibashi flet për DW: KQZ ka konstatuar shkelje dhe ka propozuar 20 sanksione
Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, (KQZ), Ilirian Celibashi, në bisedë me DW, rreshton një sërë mekanizmash dhe garancish ligjore që mundësojnë një rezultat në përputhje me vullnetin e zgjedhësve, të shprehur me votën e tyre.
“Qëllimi kryesor i zgjedhjeve është të sigurojë një përfaqësim të saktë të vullnetit të popullit, një proces të lirë, të ndershëm dhe transparent. Pavarësia e KQZ, monitorimi i procesit zgjedhor nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, mbrojtja e votës së qytetarëve përmes votimit dhe numërimi transparent dhe i saktë janë ndër mekanizmat dhe garancitë kryesore ligjore.
Është e rëndësishme gjithashtu që partitë politike në garë, kandidatët e tyre për organet e pushtetit lokal, të jenë të përkushtuar ndaj ligjeve, rregullave zgjedhore, të kenë qasje të barabartë dhe të ndershme ndaj mediave dhe financimit të fushatës zgjedhore,” thotë Ilirian Celibashi për DW.
Komisioneri Shtetëror, Ilirian Celibashi thekson që “për rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që kërkojnë ndryshime legjislative, partitë politike, të përfaqësuara në Kuvend, duhet të tregojnë vullnetin e tyre për të përmirësuar Kodin Zgjedhor. KQZ ka plotësuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it lidhur me administrimin e procesit zgjedhor, që është përgjegjësi e këtij komisioni.”
A do të ndalojë ky biznes në zgjedhjet lokale 2023?
“Si asnjëherë më parë ne në KQZ jemi fokusuar më shumë në përgjegjësinë tonë për të shmangur përdorimin e burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore. Të gjitha institucionet shtetërore dhe agjencitë e tyre janë të detyruara të njoftojnë KQZ për aktivitetet publike. Në procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale 2023, KQZ ka konstatuar shkelje dhe ka propozuar 20 sanksione nga të cilat 10 janë pranuar. Janë ndaluar 7 aktivitete publike, nga të cilat 10 aktivitete për keqpërdorim të burimeve publike dhe 7 aktivitete për shkak të raportimit të vonuar. Në zgjedhjet paramentare 2021, KQZ nuk ka ndaluar asnjë aktivitet publik dhe vendosi vetëm 4 sanksione për keqpërdorim të burimeve publike,” thotë për DW Ilirian Celibashi.