Zgjedhjet riformatojnë Parlamentin, ja kush janë më e reja dhe ai më i vjetri dalë nga 11 maji
Riformatim i parlamentit shqiptar. Kështu mund të cilësohet rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, me moshën mesatare që tani është ulur ndjeshëm.
Mosha në sallën e Parlamentit do të jetë mesatarisht, 47 vjeç.
Te dy partitë kryesore, demokratët janë pak më të vjetër, me një moshë rreth 50 vjeç, sa i përket deputetëve që do të ulen në Kuvend.
Ndërsa 83 deputetët e Edi Ramës kanë një moshë pak më të madhe se 45 vjeç.
Marjana Koçeku, 24-vjeçare dalë nga listat e saj në Shkodër është më e reja në Parlamentin e ri, ndjekur nga Zegjine Çaushi, 27-vjeçarja e socialistëve të Fierit.
Në krahun tjetër dallon Sali Berisha, që pasi ka provuar postin e Presidentit dhe Kryeministrit, me 81 vitet e tij gëzon të drejtën e drejtimit të Parlamentit në çeljen e legjislaturës, si deputeti më i moshuar në sallë.
Në rast se Berisha do të refuzojë këtë “privilegj”, stafetën e merr një tjetër mjek demokrat, 76-vjeçari Tritan Shehu, ndërsa kandidati i tretë vjen nga radhët e socialistëve, 68-vjeçari Vasil Llajo.