Zgjedhjet parlamentare të 11 majit, publikohet lista përfundimtare e votuesve! Ja sa qytetarë kanë të drejtë vote

Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë që do të mbahen më 11 maj 2025. Sipas të dhënave të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, numri i shtetasve shqiptarë që kanë të drejtë vote është 3,713,761, përfshirë si votuesit brenda vendit ashtu edhe ata jashtë tij.

Në këtë listë përfshihen edhe:

  • 114,642 zgjedhës që do të votojnë për herë të parë.
  • 1,081 shtetas të papërfshirë për shkak të dekriminalizimit.
  • 5,225 qendra votimi të regjistruara.

Procesi i hartimit të listës është realizuar nën mbikëqyrjen e auditëve të KQZ-së dhe përmbush kërkesat e dekretit të Presidentit, duke kaluar në disa faza dhe publikime të ekstrakteve zgjedhore. Për herë të parë në histori, lista përfshin dy kategori: zgjedhësit brenda vendit dhe ata jashtë tij.

Ministria e Brendshme, bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe “IdentiTek”, do të vazhdojnë përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, ndërkohë që qytetarët mund të aplikojnë për rinovimin e Letërnjoftimeve elektronike për identifikimin e tyre në ditën e zgjedhjeve.