Zgjedhjet parlamentare/ Rama takime me drejtuesit e qarqeve, katër kryebashkiakë kërkojnë të garojnë për deputetë
Për të tretën ditë radhazi, kryeministri Edi Rama po zhvillon takime kokë më kokë me drejtuesit politikë të qarqeve socialiste, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Takimet po mbahen në vilën qeveritare 31, ku diskutohet për emrat që do të përfshihen në listat e kandidatëve për deputetë.
Vendimi përfundimtar për përbërjen e listave do të merret në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste më 12 mars. Burime pranë PS-së bëjnë me dije se në garën për një vend në Parlament kanë shprehur interes edhe katër kryebashkiakë: Ervin Demo (Berat), Juliana Mema (Dimal), Tërmet Peçi (Tepelenë) dhe Agron Malaj (Mat).
Sa i përket formulës së listave, Rama ka theksuar se do të ketë një fokus të veçantë tek përfaqësimi i grave dhe vajzave. Ndërkohë, për listën e hapur do të përfshihen eksponentë të PS-së me më shumë se dy mandate, të cilët do të duhet të luftojnë për mbështetjen e votuesve për të siguruar një vend në Parlament.