Zgjedhjet parlamentare! Berisha e Rama mbledhin kryesitë për caktimin e kandidatëve për deputet! Përjashtohen ato me shumë mandate, pretendent edhe kryebashkiakët

Kryesia e Partisë Demokratike ka nisur diskutimet për përgatitjen e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa janë zbuluar edhe emrat e kandidatëve që pritet të përfaqësojnë PD në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërkaq, edhe kryeministri Edi Rama ka mbledhur Kryesisë së PS ka nisur, disa orë nga përfundimi i afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor detyrojnë të gjitha partitë që t’i nënshtrohen listave të mbyllura kur të dorëzojnë emrat e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Të gjitha partitë e vogla në bllok kanë qenë kundër, duke kërkuar lista të hapura, madje kanë deklaruar se do të kandidojnë të gjithë në këto të dytat.

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula bëri të ditur se është njoftuar se “nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, sipas tij, për një arsye të vetme sepse është “SPAKIST”.

Kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj ka dhënë dorëheqjen këtë të martë, për t’iu bashkuar garës për deputet. Por Malaj nuk është i vetmi kryebashkiak që do jetë në skuadrën e kandidatëve të Partisë Socialiste.

Edhe Ervin Demo, kryebashkiaku i Beratit që ka dhe drejtimin politik të këtij qarku, do të jetë kandidat dhe do të ndjekë të njëjtën procedurë si Malaj duke dhënë dorëheqjen.

Termet Peçi i Tepelenës është kryebashkiaku i tretë i cili gjithashtu raportohet se do të lerë mandatin si qytetar i parë i kësaj bashkie për të qenë në listat e kandidatëve për deputetë.

Veç këtyre tre emrave, është e konfirmuar që në listën e kandidatëve për deputetë, në pjesën e sigurt, do të jenë drejtuesit politikë të qarqeve, ndërsa gjithë të tjerët do ta marrin vesh zyrtarisht vetëm ditën e nesërme kur do të mblidhet në orën 18.00 kryesia e PS për të miratuar 186 emrat e kandidatëve që do t’i dorëzohen në orët e fundit të afatit ligjor Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Vetë kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se ai vetë mund të mos jetë në listë, duke qëndruar jashtë parlamentit, ndonëse synon që të ketë shumicën për të qeverisur edhe për 4 vite të tjera.

Afati i fundit i dorëzimit të listave është ora 00:00 e kësaj të mërkure.