Zgjedhjet në Kosovë, Vuçeviq: Serbët duhet të votojnë dhe të mbështesin Listën Serbe

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka bërë thirrje që serbët në Kosovë të votojnë dhe të mbështesin Listën Serbe në zgjedhjet e sotme. Sipas Vuçeviqit, kjo listë është e vetmja përfaqësuese e interesave të serbëve në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e luftës për çdo mandat të garantuar.

“Është shumë e rëndësishme që serbët të votojnë dhe të mbështesin Listën Serbe. Çdo mandat nga 10 që u është garantuar serbëve është një luftë për të penguar Albin Kurtin që të formojë një qeveri apo të jetë në gjendje ta bëjë këtë lehtësisht me serbë të rrejshëm,” deklaroi Vuçeviq në Novi Sad, gjatë një prononcimi për media.

Ai ritheksoi qëndrimin e qeverisë serbe lidhur me statusin e Kosovës.

“Ne do të luftojmë sa të jemi gjallë që Kosova të jetë Serbi. Ky është zotimi ynë, ky është detyrimi ynë,” tha Vuçeviq.