Zgjedhjet në Kosovë/ Deri në orën 15:00 kanë votuar 50% e emigrantëve të regjistruar në diasporë
Procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë ka nisur këtë të shtunë për qytetarët që jetojnë në diasporë. Votimi po zhvillohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në disa shtete të botës.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 15:00 kanë votuar 10.306 persona, që përfaqëson 50.91% të numrit të votuesve të regjistruar nga diaspora. Në total, për të votuar në këto zgjedhje janë regjistruar 20.324 qytetarë.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, konfirmoi se procesi i votimit po vijon normalisht dhe nuk është raportuar për probleme deri tani.
Votimi në përfaqësitë diplomatike ka nisur në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet evropiane, ndërsa në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada ka filluar në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.
Në total, më 8 shkurt, votimi po zhvillohet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që ndodhen në 19 shtete të ndryshme. Procesi do të vijojë gjatë ditës derisa të mbyllet orari i votimit në secilin vend.