Zgjedhjet e 14 majit/ Ja masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit

 

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DPPSH, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi ka dalë me një deklaratë për shtyp, për masat e ndërmarra me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor, si dhe për të siguruar mbarëvajtjen e këtij procesi.

Policia e Shtetit, në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe të detyrimeve ligjore që janë përcaktuar në Kodin Zgjedhor, ka ndërmarrë një sërë masash që prej fillimit të procesit, masa të cilat janë ndjekur dhe po zbatohen në të gjitha fazat deri në përfundim të procesit zgjedhor. 

Policia e Shtetit është vlerësuar pozitivisht ndër vite, nga agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për standardet e arritura në zbatimin me objektivitet të ligjit gjatë proceseve zgjedhore të zhvilluara në vendin tonë. Nisur nga këto arritje, sfida e Policisë së Shtetit mbetet ruajtja e këtyre standardeve edhe gjatë këtij procesi zgjedhor, si dhe rritja në një shkallë më të lartë e tyre, me qëllim që qytetarët të përmbushin të lirë dhe të sigurtë detyrimet që kanë në kuadër të këtij procesi zgjedhor,-tha ai.