Zgjedhjet e 11 majit/ Zbardhen 3 variantet e KQZ për votimin dhe numërimin elektronik, dërgohen për konsultim partive politike

Janë bërë publike tre variantet e propozuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet e 11 majit. Këto propozime janë dërguar zyrtarisht për konsultim tek partitë politike.

Administrata e KQZ ka sugjeruar që procesi elektronik të zhvillohet në njësi administrative që ofrojnë përparësi logjistike dhe ku votuesit janë tashmë të familjarizuar me këtë mënyrë votimi.

Varianti i parë parashikon që procesi i votimit dhe numërimit elektronik të zbatohet në Njësitë Administrative nr. 1, 3, 5, 8, 9 dhe 10 të Bashkisë Tiranë, si dhe në njësitë administrative Bërxull, Prezë dhe Vorë të Bashkisë Vorë.

Varianti i dytë propozon zbatimin e këtij sistemi në Njësitë Administrative nr. 2, 3, 5, 9 dhe 10 të Bashkisë Tiranë, bashkë me njësitë administrative Bërxull, Prezë dhe Vorë të Bashkisë Vorë.

Varianti i tretë sugjeron përfshirjen e teknologjisë në Njësitë Administrative nr. 5 dhe 10 të Bashkisë Tiranë, në njësitë Bërxull, Prezë dhe Vorë të Bashkisë Vorë, si dhe në Rajonet 1, 2, 3, 4 dhe 5 të Bashkisë Durrës.