Zgjedhjet e 11 majit/ “Shqipëria Bëhet” në Milot, Lapaj: Nëse do të vijmë një ditë në pushtet, do të heqim …

Adriatik Lapaj zhvilloi një takim me banorët e qytetit të Milotit, në mbështetje të kandidatëve për deputetë nga koalicioni “Shqipëria Behet”. Në fjalën e tij, kandidati milotas Erjon Selmani prezantoi platformën dhe programin për Kurbinin.

Ai ka thënë ndër të tjera se qyteti i Milotit është i njohur për historinë e tij, një qytet si nyje lidhëse e Shqipërisë së Veriut me pjesën tjetër të vendit. Erjon Selmani ka akuzuar institucionet vendore dhe ato qendrore për mungesën disa vjeçare të investimeve në këtë qytet.

Ndërsa kreu i Nismës “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ndër të tjera ka thënë se do të jetë në mbështetje të të rinjve që janë përzgjedhur si kandidatë për deputetë. Lapaj më tej ka theksuar se kjo qeveri e drejtuar nga drejtues të paaftë ka lënë qytetarët në varfëri.

“Ne kemi kërkuar garë të hapur në zgjedhjet parlamentare. Nëse do të vijmë një ditë në pushtet, do të heqim shumë ligje dhe do të pastrojmë administratat nga burokracitë. Me grupin tonë që kemi përzgjedhur për zgjedhjet e 11 majit, janë të rinjtë që do të ndryshojnë të ardhmen,” – tha Lapaj.

Lapaj ka kërkuar nga qytetarët e Milotit dhe të tërë Kurbinit që të votojnë të zgjedhurit e Nismës “Shqipëria Bëhet”, për ndryshimin.